Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola pas pritjes që i bëri presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, tha se ata janë të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat që ngjarjet e fundit në veri mund t’i kenë në stabilitetin e rajonit.
“Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i ligjit janë vlera fundamentale që ky parlament qëndron fuqishëm me to. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi mirëpret përpjekjen e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat drejtpërdrejt, nevojën për të ndërmarrë hapa për ta qetësuar situatën, për të bashkëpunuar me partnerë dhe duke investuar në projekte ndërkufitare dhe partneritet”, tha Metsola.
Ajo tha se duhet që dialogu të vazhdojë në mënyrë konstruktive për të siguruar rezultate të prekshme për të gjithë. “Ky parlament do që të dëgjojë nga populli i Kosovës se si është më së miri të krijohet prosperiteti ekonomik, mundësitë dhe stabiliteti afatgjatë dhe progresi në rajonin tuaj”, tha Metsola.