Këngëtarja Tergita Gusta spikati në edicionin e parë të talenteve “Ethet e së premtes mbrëma”. Që prej vitit 2014 është tërhequr nga muzika duke iu dedikuar profesionit si specialiste IT-je. E rikthyer pas shumë vitesh, në një interviste me gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Gusta kujton me nostalgji vitin 2003 kur mori pjesë tek “Ethet”. “Kanë kaluar shumë vite. E kujtoj atë periudhë si diçka shumë të bukur dhe të papërsëritshme. Më duket si ato pallatet e vjetra por me baza të forta.”
Edhe pse kanë kaluar 20 vite, duket se gjërat nuk kanë ndryshuar. “Gjëja e parë që ka mbetur nga atëherë është pasioni për muzikën që nuk do të vdesë kurrë. Gjithashtu miqtë që kam krijuar në atë kohë, me të cilët flas herë pas here. Më ndodh edhe tani kur shkoj në ambiente të ndryshme të më pyesin: ‘A je ti Tergita?’. U janë fiksuar flokët dhe fakti që juria më thërriste ‘Me Gusta’.”
Në një kohë kur nuk kishte Instagram dhe TikTok, sa dhe si ndihej fama që mori nga ky spektakël. “Ishim fare të vegjël. Merrnim shumë dashuri nga njerëzit. Në Kosovë kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme. Sa herë shkonim nëpër koncerte kishim badigardë dhe njerëz që hidheshin për të na përshëndetur. Ka qenë emocion i fortë. Aty e kuptonim se çfarë impakti kishim te njerëzit. Mbaj mend që kemi qenë në Prishtinë në një koncert. Kaluam në mesin e njerëzve. Dikush zgjati dorën, na preku dhe tha: ‘E preka, o njerëz! E preka!’. Shumë emocion i bukur. Më ka mbetur në mendje.”
Nëse kishte xhelozi mes konkurrentëve, këngëtarja tregon se ata ishin shumë miq. “Nuk kishte xhelozi. Mbase dhe për faktin që ishin “Ethet” e para dhe ishte diçka e re për të gjithë ne. E përjetuam njësoj madje ishim mbështetës për njëri-tjetrin.”
Pas pjesëmarrjes në “Ethet e së premtes mbrëma”, Tergita pati një tjetër sfidë artistike. Në vitin 2004 do të ngjitej në skenën e Eurovision-it me këngëtaren Anjeza Shahini. “Kur kemi zbritur nga avioni, një turmë njerëzish na prisnin në Rinas me postera dhe kamera. Kur ishim në Turqi nuk e kuptonim impaktin që kishte këtu. Kur u kthyem mësuam që e kanë parë festivalin nëpër lokale me ekrane të mëdha.”

Kënga e fundit që Tergita Gusta realizoi është ajo me titull “Një fjalë” në vitin 2014. Edhe pse më pas ka kënduar herë pas here live në mjedise të ndryshme muzikore. Po si e sheh ajo muzikën që bëhet sot në Shqipëri dhe sa e gjen veten? “Sado që të kem eksperimentuar në muzikë prap mbetem te muzika Pop. Por sot Pop-i është ngatërruar me rryma të tjera, të cilat nuk e di nëse e gjej veten.”
Nëse është tunduar të rikthehet në muzikë, këngëtarja zbulon se ka pasur disa ftesa për të bashkëpunuar. “Nuk kam qenë e bindur nëse është gjëja e duhur. Nëse ndodh dua të rikthehem me një material të bukur që të mbetet dhe jo të harrohem. Më mirë të pres momentin nëse do jetë diçka që do ia vlejë, ose përndryshe nuk dal fare.”
Cilët janë këngëtarët e sotëm në treg që Gusta vlerëson më shumë. “Ka këngëtarë shumë të mirë. Shkoj shpesh në ambientet ku luhet muzikë live. Marsela Çibukaj më pëlqen shumë. Kamela Islamaj gjithashtu, një nga zërat më të mirë shqiptarë.” Këto emra Tergita i sheh të denja edhe për të na prezantuar në Eurovision.
Përtej muzikës, këngëtarja me profesion është specialiste IT-je. Ajo ka studiuar për shkenca kompjuterike. “Ka qenë një zgjedhje e mamasë. Të ishte për mua do isha futur tek Artet. Tani kur e mendoj them se ka bërë gjënë më të mirë. Jam specialiste e IT-së prej 14 vitesh. Tani jam e punësuar nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) por pozicioni i punës është në Ministrinë e Brendshme.”
E pyetur për jetën private Tergita Gusta zbulon se prej shumë vitesh është e dashuruar. “Në jetën private jam mirë prej shumë vitesh. Kam gjetur veten. Jam e dashuruar. Celebrimi ka mbetur, se çdo gjë tjetër është në rregull.”
Njeriu që ka në krah nuk ka lidhje me muzikën. “Ai është një mik, i cili ka qenë pranë meje gjatë gjithë jetës sime por një ditë zbuluam që thjesht ishim për njëri-tjetrin. Më nxit shumë që të merrem me muzikë: ‘Pse nuk provon të rikthehesh’ – më thotë. E kam shumë mbështetje.”
