“Ne bëmë para dy vitesh një marrëveshje me Bashkinë e Librazhdit , eci mirë”. Kështu dëgjohet të thotë vajza e njohur me emrin Alma K gjatë një bashkëbisedimi me nënkryetarin e Bashkisë së Kukësit.
Teksa shkon për të konkluduar detajet e projektit pas “negociatave” me Kryetarin Safet Gjici, Alma K bie dakord që të dorëzojë një draft-projekt për sterilizimin e qenve në qytetin verilindor. Ajo thotë se një projekt të suksesshëm ka mbyllur edhe me Bashkinë e Librazhdit. Ende nuk dihet nëse vërtet ajo ka mundur të realizojë një marrëveshje me Bashkinë e Librazhdit apo ka qenë një sajesë e saj për të krijuar besueshmëri.
SPAK zbarkoi këtë të hënë në ambientet e Bashkisë së Kukësit ku sekuestroi serverin e kamerave të sigurisë por edhe dokumente të ndryshme, në kuadër të hetimit që po kryhet për shpërdorim detyre ndaj ish-kryebashkakut Safet Gjici, i cili u përfshi në skandal, pas publikimit të një video ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua tashmë të identifikuar.
