Kryeministri Edi Rama ka bërë fajtor, deputetë, ministra kryetar Bashkie, për gjendjen në të cilën ndodhet Kadastra. Sipas tij, me postin e tyre kanë “interferuar” me punën e tyre duke shfrytëzuar pushtetin e duke ndërhyrë deri në imponim deri në emërimin e punonjësve.
“Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme nga ju, dhe kur them nga ju, e kam fjalën për kategorinë, deputetë, ministra, kryetar bashkishë, për të vazhduar me më tutje të gjithë ata që kanë sado pak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me Kadastrën, që nga emërimet e drejtuesve, një influencë deri në imponim, te influenca për punonjës, për mbështetje për njërin apo tjetrin deri në imponim, duke e penguar Kadastrën që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurt e pronës së patundshme të shqiptarëve”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama shtoi se është bërë punë, por jo aq sa duhet, për të zhbërë ndikimin e politikës mbi Kadastrën.
“Nuk jemi në kushtet kur që kemi arritur aty ku duhet, por kemi parë çudira pas çudirash me pronat e shqiptarëve. Influenca politike mbi Kadastrën ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, nga lidhjet klanore”, u shpreh kreu i qeverisë.
