Kushëriri i viktimave Gjokë dhe Eduard Gurra, është marrë në pyetje nga policia e Shkodrës. Ai i ka treguar hetuesve të policisë se çfarë kishte ndodhur nga mesdita e 29 korrik e deri në vijim kur ka dëgjuar të shtënat me armë.
Sipas dëshmisë së dhënë, banesa e Gjokë Gurrës nuk është djegur një ditë më parë. Flakët e zjarrit dhe tymi janë parë prej tij në çatinë e shtëpisë rreth orës 12:00 të mesditës së 29 korrikut. Sapo ka konstatuar zjarrin, ai ka telefonuar mikun e tij, Gjokë Gurrën, që ndodhej në Shkodër, duke i treguar këtij të fundit se shtëpia po i digjej nga zjarri.
Pas këtij njoftimi, Gurra i ka kërkuar kushëririt që të mundohej të fikte zjarrin, dhe se ka dyshuar se shkak për rënien e flakëve në banesën e tij, mund të jenë bërë dy panelet diellore që ai kishte vendosur mbi çatinë e shtëpisë. Nisur nga kjo situatë, Gjokë së bashku me djalin e tij Eduard Gurra, me një mjet foristradë kanë udhëtuar drejt fshatit të origjinës, me shpresën e shuarjes së zjarrit.
Por në dëshminë e kushëririt të tyre, ai ka pohuar se teksa mundohej të shuante zjarrin, ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, që erdhën nga ana e hyrjes së fshatit Sumë. Ka braktisur punën në shtëpinë që po digjej dhe është nisur drejt zonës, nga erdhën të shtënat me armë. Siç tregon A.Gurra, një veprim të tillë e kishte kryer pasi ishte bërë kurioz se çfarë mund të kishte ndodhur dhe kush kishte qëlluar disa herë me armë.
Kur ka kaluar kthesën, ka vënë re se makina e kushërinjve të tij ishte e qëndruar në mes të rrugës dhe brenda saj, ndodheshin të gjakosur Gjokë dhe Eduard Gurra. Menjëherë kushëriri i viktimave ka marrë në telefon policinë, duke e njoftuar për ngjarjen e rëndë.