Gentian Bejtja i ka shpëtuar për herë të tretë një atentati të kryer në drejtim të tij, por ka mbetur i vrarë kunati i tij (vëllai i nuses) Ramazan Sino dhe i është plagosur i biri, Alvi Bejtja. Policia thotë se Ramazan Sino 29-vjeç bashkë me nipin e tij Alvi Bejtja, 13-vjeç u qëlluan në oborrin e banesës. Ramazan Sino ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i mituri u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.
Pas atentatit, në Tapizë te Lapidari rreth orës 00:40 është gjetur i djegur një automjet, dyshohet tip “Volkswagen”, i cili mund të jetë përdorur nga autorët për të kryer atentatin. Dyshohet se autorët atentatit janë 3 persona.
Gentjan Bejtja rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai është hetua edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.