Maqedonia e Veriut është shteti i parë ku Kryeministri Edi Rama nisi turin e vizitave në Ballkan. Kreu i qeverisë u prit në aeroportin e Shkupit nga zv/kryeministri Artan Grubi. Më pas, u takua me kryeministrin Kovaçevski në selinë e qeverisë.
Sipas axhendës, do të ketë një takim kokë më kokë i Ramës me Kryeministrin Kovaçevski dhe më pas takim mes delegacioneve të të dyja vendeve. Në orën 12:00 do jetë konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrave Rama-Kovaçevski.
Pas takimit mes delegacioneve është parashikuar drekë e përbashkët, ndërsa më pas Edi Rama do të udhëtojë drejt Kosovës, për të realizuar takim fillimisht me Presidenten Vjosa Osmani e më pas me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
