“Edhe 1000 herë të kthehesha pas, do ta bëja sërish”,-tha kryeministri Edi Rama për nismën e Ballkanit të Hapur nga Maqedonia e Veriut ku po mban një konferencë për shtyp me homologun Dimitar Kovačevski. I pyetur nga gazetarët nëse mori mësim nga Ballkani i Hapur dhe fakti që Kosova mbeti jashtë, Rama theksoi se nisma nuk është aspak përjashtuese teksa shtoi se në kuadër të saj janë ndërmarrë 72 iniciativa në rajon.
Kurse, i pyetur për hezitimin e deritanishëm të kryeministrit Kurti për një takim bilateral, Rama theksoi se ende shpreson për një përgjigje pozitive.
“Na lini ta trajtojmë mes shqiptarësh. Kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmin duhet ta presësh…Sa i përket asaj të vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot. Nuk mund të rrimë në të shkuarën e të anatemojmë njëri-tjetrin. Patrioti i vërtetë është ai që do vendin e vet dhe s’i do të keqen askujt tjetër”,–tha Rama.
