Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja ka paralajmëruar shoferët që të respektojnë rregullat e qarkullimit në mënyrë që të mos iu ulen pikë në patentë.
Kreu i DPSHTRR ka njoftuar se nga 491 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjes së pikëve të patentës nga penalizimet, vetëm 51 persona kanë rifituar lejen e drejtimit gjatë periudhës 1-vjeçare qershor 2022-23.
Gonxhja iu drejtohet shoferëve të parregullt duke iu thënë se nuk ka shpëtim përveç riedukimit, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë.
Postimi i Gonxhes
Vetëm 51 persona nga 491 riregjistrime në autoshkollë për shkak te heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar Lejen e Drejtimit gjatë periudhës Qershor 2022-Qershor 2023!
491 riregjistrime në autoshkolla dhe vetëm 10.3% prej tyre kthehen në rrugë si drejtues mjeti, kësaj here akoma më të përgjegjshëm!
S’KA SHPËTIM përveç RIEDUKIMIT për ata që ne i konsiderojmë kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!
Koka bën, koka pëson!
Angari e kosto që mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon
Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja