“La Forchetta” është restoranti që gatuan çdo ditë për Flamurtarin. Pronari i tij, njëkohësisht edhe kryekuzhinier, Istref Karafili, në një intervistë për “Panorama Sport” zbulon sekretet e futbollistëve kuqezinj, por edhe trajnerëve.
Në një periudhë ku xhepat e lojtarëve janë bosh prej pagave të pamarra, e kundërta mund të thuhet për pjatat. Kryekuzhinieri zbulon për gazetën ushqimet që preferojnë lojtarët, ndërsa veçon kush janë më seriozët apo ata që bëjnë humor.

Kush është Istref Karafili, njeriu që i gatuan çdo ditë Flamurtarit?
Në radhë të parë ju falënderoj për interesimin tuaj si gazetë. Unë kam 5 vite që punoj dhe e quaj në të njëjtën kohë argëtim, sepse kam qenë dhe jam një simpatizant i futbollit dhe në veçanti i Flamurtarit. Kam punuar për një kohë 20- vjeçare në emigrim, në Itali dhe pikërisht në sektorin që mbuloj edhe sot, në restorante. Flasim për lojtarët e Flamurtarit.
Na zbuloni pak kush është më grindaveci për të ngrënë?
Të them të drejtën nuk mund ta quaj grindavec, por do ta përshkruaj me fjalën qibar në ushqim. Ata kanë një menu fikse që u ndërrohet pothuajse nga dita në ditë. Fillojnë me perime të freskëta të cilat i servirim në një banket që të gjithë i tërheqin vetë në kupa prej qelqi.
Nuk mungon asgjë nga perimet e stinës si për shembull sallata jeshile, sallatori, domatja, lakra e bardhë dhe e kuqe, si dhe perime miks të ziera.
Më qibar mund të përmend Deliajn, që nuk i shkojnë përshtat makaronat e ndryshme dhe është i dashuruar me supën e perimeve. Por, veçoj edhe Sukajn, që e falënderoj për sjelljen, i cili më kërkon më shumë supë, ndoshta për të ruajtur mbipeshën.
Cilat janë kërkesat më të veçanta për ushqim?
Çdo ditë kanë makarona të ndryshme me salca të ndryshme ose rizoto me perime dhe ndonjëherë me kungull të grirë. Kjo është e shijshme dhe ndonjë lojtar më kërkon nëse është e mundur dhe diçka më tepër. Pastaj kanë pjatën e dytë që konsumojnë vetëm biftek viçi dhe fileto pule.
Asnjë lloj tjetër për sa u përket mishrave. Në fund fare ose fruta të stinës ose ëmbëlsira të përgatitura nga ne, si për shembull krostata me marmelata të ndryshme, të cilën e pëlqejnë të gjithë dhe është një nga ëmbëlsirat që përdoret edhe nga sportistët e huaj.
