Publikohet kërkesa e SPAK0ut, drejtuar Kuvendit. Kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit Arben Ahmetaj mban datën 7 korrik 2023 dhe është firmosur nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.
Përmbajtja e kërkesës
Kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit
Znj. Lindita NIKOLLA
Drejtuar:
KRYETARE E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
TIRANË
E Nderuar znj. Kryetare e Kuvendit!
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura.
Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni kërkesën dhe relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!