Në vitin 1944, sipas procesverbalit të hartuar nga Banka Kombëtare e Shqipnis, ushtria gjermane grabiti nga thesari i saj 9.634.690 franga shqiptare (në formë kartëmonedhash dhe monedhash ari). Sasia e arit të grabitur nuk erdhi në Shqipëri deri në vitin 1998. Arsye për këtë u bë dënimi i Shqipërisë nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës me një dëmshpërblim prej 843.947 sterlinash angleze në favor të Britanisë së Madhe, për shkak të dëmeve materiale dhe njerëzore të shkaktuara në Incidentin e Kanalit të Korfuzit të vitit 1946, si dhe pretendimet e SHBA-ve për kompensim të pasurisë së saj të shtetëzuar në Shqipëri. Qeveria shqiptare e kundërshtoi vendimin në fjalë, ndërsa qeveria britanike nuk e lejoi kthimin e arit të ruajtur në Londër pa u dëmshpërblyer sipas vendimit gjyqësor. Pas peripecive të shkaktuara nga Incidenti, do të fillonte një kalvar i gjatë procesesh gjyqësore dhe polemikash që do të zgjasnin më shumë se gjysmë shekulli.
Në maj të vitit 1992, mbas përmbysjes së regjimit komunist dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, filloi etapa e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së arit të grabitur. Më 29 tetor 1996, Shqipëria u njoftua nga Komisioni trepalësh (Britani e Madhe, SHBA dhe Francë) për sasinë e arit që i takonte dhe nga ana e saj pranoi detyrimin prej 2 milionë dollarësh ndaj SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për secilin shtet. Komisioni e vlerësoi pretendimin e Shqipërisë me vetëm 2454,9 kg ar, duke i kthyer, sipas proporcionit përkatës prej 66,1% të sasisë së pretenduar, ose 1623,2 kg. Më 14 korrik 1998, pjesa e arit të vendosur nga komisioni trepalësh iu kthye Shqipërisë, pas 54 vitesh.
Postime te ngjashme
Add A Comment
