I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar këtë të martë do të paraqesë para Kongresit amerikan një raport për zhvillimet e deritanishme lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Sipas dokumentit, raportimi para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, do të ndërlidhet kryesisht me nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas Escobar, asociacioni do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare.