Deputetja demokrate Oriola Pampuri ka reaguar pasi ka firmosur dy herë vendimin e kryesisë për kalimin e vulës së partisë nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi tek sekretari Ligjor, Indrit Sefa. Në një reagim në Facebook, Pampuri shkruan se ka firmosur dy herë, por është një keqkuptim dhe se nuk është bërë për të plotësuar kuorumin e nevojshëm.
Pampuri shkruan se regaimet për faktin se ajo ka firmsour dy herë po bëhen me qëllim nga ata që kërkojnë të fshehin disfatën e radhës në Rrogozhinë, apo nga ata që janë futur nga “dritarja” në grupin e Foltores.
“Një sqarim i detyruar: Shoh reagimet dhe spinet mbi foton që qarkullon në rrjet me firmën time, ndaj dua të sqaroj ata që mund të jenë keqkuptuar: PO, është firmosur dy herë, JO, nuk ka vlerë të shtuar apo nuk plotëson ndonjë numër të nevojshëm në kryesi, pasi vendimet dhe votimet zbardhen nëpërmjet regjistimit të mbledhjes, që nuk lejon askënd nga ne të gabojë.
Firma ime,e përsëritur gabimisht për shkak të një keqkuptimi mbi shkresat e ndryshme që u nënshkruan atë dite, është gjethja e fikut pas të cilës disa kërkojnë të fshehin disfatën e radhës të revolucionit, me kosto të madhe për opozitën, e disa të tjerë kerkojnë të fshehin futjen nga dritarja në foltore, përmes proces skutash, ku flitet çdo ditë për statutin dhe veprohet në shkelje të tij”, shkruan Pampuri.