Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Rrogozhinën ka reaguar pas humbjes për herë të dytë të zgjedhjeve në këtë Bashki.
Pasi u mund në zgjedhjet e 14 Majit, Hoxha humbi sërish me një diferencë prej 1700 votash nga rivali i tij socialist, Edison Memolla në zgjedhjet e ripërsëritura vendore të mbajtura më 23 korrik.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se “rezultati i zgjedhjeve të 23 Korrikut për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve”, duke theksuar se “ky rezultat u ndikua nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve.”
“Mirënjohje dhe falenderime për të gjithë banorët e Rrogozhinës që dolën për të votuar. Falenderime të përzemërta për të gjithë ata që besuan tek ëndrra e ekipit tonë për një Rrogozhinë ndryshe.
Falenderime për gjithë bashkëpuntorët dhe njerëzit që sakrifikuan këto muaj kohë, energji dhe mund. Faleminderit edhe atyre që vendosën të “ndërronin anijen” gjatë rrugës! Kjo periudhë rezultoi një eksperiencë unike dhe shumë mësime u nxorën.
Rezultati i zgjedhjeve të 23 Korrikut për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat u ndikua nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve. I gjithë shteti zbarkoi në Rrogozhinë dhe sollën me vete një paketë me mbi 1500 vota”, deklaroi Shkëlqim Hoxha.
