Obeziteti ka pasoja edhe në tru. Nivelet e larta të yndyrës në trup lidhen me ndryshimet në formën dhe strukturën e trurit, duke përfshirë tkurrjen e lëndës gri. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Qendra Mjekësore e Universitetit Leiden, në Holandë, botuar në revistën “Radiologji”.
Hulumtime të mëparshme e kanë lidhur obezitetin me një rrezik të shtuar për rënien e aftësive njohëse dhe për çmenduri, duke sugjeruar se sëmundja shkakton ndryshime në tru.
Në funksion të studimit të fundit, hulumtuesit analizuan rezultatet e skanimit të trurit të mbi 12 000 pjesëmarrësve. Teknikat e sofistikuara të rezonancës magnetike kanë dhënë informacion mbi lëndën gri të pasur me neurone, por edhe mbi lëndën e bardhë, që shpesh quhet edhe “paketa e instalimeve elektrike” në tru.
“Ne zbuluam – thekson Ilona A. Dekkers, autore kryesore e studimit – se kur nivelet e yndyrës së shpërndarë në trup janë të larta, kjo lidhet direkt me vëllime më të vogla të strukturave të rëndësishme të trurit, përfshirë ato të lëndës gri që gjenden në qendër të trurit. Është interesante të theksohet se kjo lidhje ndryshon në varësi të seksit”.
Te meshkujt, përqindja më e lartë e yndyrës trupore është e lidhur direkt me vëllimin më të ulët të materies gri në përgjithësi dhe në strukturat specifike që kanë të bëjnë me qarqet dhe në sistemin e lëvizjes. Te gratë, sasia totale e yndyrës ka një lidhje të konsiderueshme negative me zonën e trurit që është përgjegjëse për lëvizjen vullnetare.
Si për meshkujt edhe për femrat, përqindja më e lartë e yndyrës trupore rrit gjasat e ndryshimeve mikroskopike në lëndën e bardhë të trurit. Shkaku i efekteve negative të obezitetit në tru nuk dihet saktësisht. Megjithatë, ka prova që inflamacioni karakteristik i obezitetit mund të ketë efekte të dëmshme në indet e trurit.