Puna për të gjithë ne është një çështje tejet e rëndësishme që nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin profesional, por edhe me atë monetar. Ka profesione që plotësojmë më së miri të dy këto tipare e që pëlqehen shumë për veçantinë e tyre. Një prej tyre është ai i somelierit, i cili është një person i cili njeh mjaft mirë verën dhe e vlerëson atë nga ana profesionale. E në fakt, ky është një profesion që të paktën jashtë rezulton të jetë shumë i kërkuar dhe i mirëpaguar.
Çfarë nevojitet
Përpara sesa ju t’i hyni këtij profesioni, është e nevojshme që të keni një pasion shumë të madh për botën e verës, si dhe të jeni i gatshëm të zhvilloni marrëdhënie të mira ndërpersonale. Herë pas here do të keni të bëni me klientë, të cilët janë shumë kërkues, me të cilët do të duhet të ngrini një marrëdhënie simpatie dhe mbi të gjitha eupatie. Ndoshta mund të zgjidhni një shkollë profesionale për të krijuar edhe bagazhin e duhur të njohurive, por nëse doni që të keni më shumë dije praktike, atëherë duhet të ndiqni ndonjë kurs që zakonisht zgjat nga një deri në tre vjet.
Somelierë profesionistë do t’ju mësojnë jo vetëm si të njihni tipologji të ndryshme verërash, por edhe teknologjitë për kultivimin e tyre.
Sekreti
Njëherë e një kohë, ky ishte një profesion që u përkiste shumë pak personave, por në shekuj, kjo traditë u zhvillua dhe u shpërnda. E kështu, deri sa u kthye në një profesion të vërtetë e që sot njihet me termin e huazuar nga frëngjishtja “sommelier”.
Në çdo restorant të madh e me emër gjendet të paktën një somelier që merret me kantinën dhe bën kërkime edhe për restorantin për të pasuruar përvojën degustuese të klientëve e duke e kombinuar atë me pjatat në meny. Ka edhe raste kur kjo figurë është prezente në sallë dhe jep këshilla “ad hoc”.
Të paktën në disa vende të Europës, ky profesion po përhapet me shpejtësi, pro jo të gjithë e dinë se somelieri nuk është vetëm një amator i verës së mirë, por dikush që ka mbi shpatulla një përvojë studimesh specifike, që në vazhdimësi i pasuron.
Si punon
Sot, një somelier është i angazhuar në shumë veprimtari, si në atë të restoranteve, në kompanitë e verës e të kantinave, por edhe në panairet gastronomike e të degustimit, për të përfunduar te disa kompani të specializuara në rrjetin e shpërndarjeve.
Detyra e tij është ngushtësisht e lidhur me mjedisin e punës: në restorant menaxhon kantinën dhe kombinon verën me gatimet, në eventet e sektorit është në dispozicion të të pasionuarve dhe vë në praktikë njohuritë mbi prodhime të ndryshme dhe të veçanta artizanale. Me pak fjalë, bëhet fjalë për një figurë që mund ta gjesh kudo.
“Përbërësit” për t’u bërë somelier
Pasioni është gjëja e parë që duhet të ketë një person që dëshiron t’i përkasë këtij profesioni të veçantë. Vera duhet të duhet si një kulturë e tërë dhe jo vetëm si një pije. Përveç pasionit, personi duhet të ketë një ndjesi të veçantë, të ketë nuhatje të mirë dhe shije, të gjitha këto shumë të rëndësishme për të vlerësuar çdo tipar të një vere me të cilën krijohet kontakti. Somelierët më të mirë nuk janë duhanpirës.
Dijet
Për t’u bërë një somelier do t’ju duhet të ndiqni një kurs të qëndrueshëm për tre vjet, pas të cilit pajiseni me një certifikatë. Kurset zakonisht ndahen në tre nivele dhe secili prej tyre ka një kohëzgjatje prej një vit: niveli i parë fokusohet te enologjia, nga ajo që është një somelier dhe çfarë duhet të “ndiejë” te një verë; niveli i dytë fokusohet te enografia, d.m.th. te “gjeografia” e verës, ndërsa niveli i tretë (dhe më i vështiri) ka të bëjë me mësimin sesi duhet të kombinohet vera me ushqimin.
Sa fiton
Në përgjithësi, një somelier që punon në një restorant ka një rrogë bazë që nis nga 2,000 euro e që në rastet kur duhet të angazhohet edhe në menaxhimin e kantinës merr një përqindje të caktuar për çdo shishe të shitur.
Shpërblimi ndryshon kur bëhet fjalë për të punuar si somelier i pavarur. Ky paguhet në bazë të konsultimeve apo degustimeve.
Një enolog, i cili ka përfunduar studimet trevjeçare paguhet (gjithmonë në vendet e Europës) mesatarisht në muaj 5,000 euro, por baza e nisjes për ata që nuk ka përvojë është 1,400 euro në muaj (vlera neto). Somelierët e restoranteve dhe që kanë përvojë paguhen mesatarisht 1.500 euro (neto).
Oferta në ueb
Është e mundur që të gjeni oferta pune si somelier edhe në ueb. Këto janë portale që zakonisht janë të profilizuara dhe disa prej tyre janë:
www.caterer.com
www.recruit.net
www.indeed.com “Sommelier Jobs Employment”
Gjithmonë duhet të merrni në konsideratë faktin se njohja e verës është art, por për ta kthyer këtë pasion në punë duhet shumë mund dhe studim.
Për të gjithë ata që duan ta përqafojnë si profesion, duhet të dinë se mundësi të mëdha kanë vende që kanë kulturë dhe traditë, siç është Anglia apo edhe kontinenti amerikan.
