Sali Berisha në një konferencë për mediat, tha se Arben Ahmetaj po kërcënohet me jetë dhe për këtë arsye, hetuesit duhet të marrin masa për t’i ofruar ndihmë atij dhe familjarëve të tij.
“Së pari, u informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit”,-deklaroi ndër të tjera Berisha.
Sipas Berishës, presion i madh po bëhet edhe ndaj ekipit që po heton aferën e inceneratorëve. “Kërkoj të hetohet çdo kontakt, i cilitdo punonjës, me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit”. Ai kërkoi dorëheqje të menjëhershme të kreut të ILD-së, Artur Metanit, të cilin e bën përgjegjës kryesor për çështjen e inceneratorëve.
