Ndërtuesi Armando Meshau u vra dje në Vlorë. Deri tani 10 persona janë marrë në pyetje dhe të gjithë kanë dhënë të njëjtën deklaratë. Në sherr e sipër autori Rei Meta e ka qëlluar me dy grushta në fytyrë, më pas 55 vjeçari ka humbur jetën.
Meta gjithashtu pretendon se ka goditur për vetëmbrojtje dhe se vdekja e Meshaut ka qenë aksidentale pasi ai nuk ka dashur ta vriste. Ai ka pretenduar gjatë marrjes në pyetje se 55-vjecari e ka humbur jetën nga përplasja me tokën, ose ndonjë orendi të internet kafesë, në momentin kur është rrëzuar përtokë si rrjedhojë e grushteve.
Rei Meta është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta dhe punonte në drejtorinë e Doganave. Në anën tjetër, mësohet se Rei Meta futej shpesh herë si sekser për pronat në Vlorë.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë që janë sekuestruar dhe janë në dispozicion të policisë do të japin një version të saktë të ngjarjes. Në lidhje me pamjet filmike policia vijon të mbetet e rezervuar dhe nuk ka një version zyrtar për to apo për komplet ngjarjen në fjalë. Detaje të reja priten në vazhdim.