Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje Kryebashkiakut Erion Veliaj ti përgjigjet pyetjeve të deputetes Monika Kryemadhi, mbi inceneratorin e Tiranës. Sipas saj Bashkia prej 60 ditësh nuk i përgjigjet deputetes, duke shkelur ligjin për informimin publik. Ajo tha se për këtë i është drejtuar zyrës së Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit dhe zyrës së Komisionerit për Informimin Publik.
“Në 12-qershor, deputetja Kryemadhi i ka dërguar një letër me pyetje dhe kërkesë për informacion sipas ligjit kryebashkiakut Erion Veliaj. Pyetjet nuk synojnë asgjë tjetër përveç se transparencës. I kemi kërkuar informacionin e detajuar për sa tonë mbetje janë depozituar për çdo vit kalendarik. Që nga nisja e kësaj marrëdhënie kontraktuale të Bashkisë së Tiranës, deri në maj 2023. Kjo, shoqëruar me kopje të dokumentacionit zyrtarë që posedon bashkia ku vërtetohet shifra e deklaruar.
Së dyti, informacionin e detajuar mbi pagesat e kryera çdo vit nga pagesa e parë deri në maj 2023, shoqëruar me kopje të dokumentacionit. Së treti, kopje të marrëveshjes së firmosur mes palëve dhe së katërti, një kopjet të vendimit të këshillit bashkiakë, nëse ka për këtë marrëveshje”, bëri të ditur Caka. Më tej ajo tha se Prokuroria Speciale Antikorrupsion do duhet ta marri në pyetje Veliajn për çështjen e inceneratorëve.