Kandidati për president në Ekuador, Fernando Villavicencio u ekzekutua gjatë fushatës. Ai u qëllua me tri plumba teksa po largohej nga ngjarja në veri të vendit në Kuito të mërkurën. Një prej anëtarëve të ekipit të tij në fushatë u tha mediave se viktima ishte duke hipur në makinë dhe një burrë i doli përpara dhe e qëlloi në kokë tre herë. Presidenti aktual, Guillermo Lasso u zotua se krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar.
Aktualiteti në Ekuador
Krimi dhe prania e kartelave të drogës në Ekuador vjen gjithnjë e më shumë në rritje gjatë viteve të fundit, duke e kthyer në një ndër retorikat kryesore të fushatave presidenciale të këtij viti por edhe të politikës në tërësi. Muajin e kaluar, Lasso shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim natën në tre provinca pas një numri vrasjesh të lidhura me krimin e organizuar.