Sali Berisha akuzon edhe njëherë kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ka pasur një rol kryesor në dhënien e koncesionit të inceneratorit të kryeqytetit, teksa tani po kërkon të hiqet si viktimës. Sipas Berishës, Veliaj është një ndër pronarët e këtij djegësi i cili ndryshoi strategjinë se si do të trajtoheshin mbetjet në Tiranë dhe ndikoi që kompania fantazmë të merrte një bonus në komisionin e dhënies së koncesioneve.
“Erion Veliaj ka mobilizuar këto kohë të gjitha potencialet mafioze mediatike dhe kërkon me cdo kusht të paraqitet ose si viktimë ose së pak si myshteri i Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Në këtë kuadër, burime shprehen se ai po bën presion të madh dhe në drejtësi. Theksoj se këto qëndrime përbëjnë vepër penale të re për të cilat ai do të bëhet përgjegjës deri më një krahas përgjegjësive të rënda ligjore dhe penale që mban si njeriu kryesor i djegësit të Tiranës.
Të pretendosh se je viktimë apo myshteri i Zotos dhe Mërtirit do të thotë të tallesh jo vetëm me veten, por me drejtësinë dhe mbarë publikun. Është Veliaj padroni i djegësit të Tiranës, i cili për të hapur dyert e aferës së shekullit ndryshoi strategjinë e trajtimit të mbetjeve nga riciklim në djegie me koncension”, tha mes të tjerash Sali Berisha.
