Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve të zgjedhin ndërmjetësimin për të zgjidhur konfliktet e tyre, përpara se t’i drejtohen gjykatave.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ministri Manja, tregon avantazhet që ofron proçesi i ndërmjetësimit.
“Përse duhet të zgjidhni ndërmjetësimin përpara se t’i drejtoheni gjykatës. Ju ftoj të ndiqni videon për të mësuar më shumë se çfarë lehtësirash përfitoni nga ligji i ri për ndërmjetësuesit. Ndërmjetësimi – një dritare drejt zgjidhjeve paqësore!”, tha Manja.
Në videon e publikuar nga Ministri i Drejtësisë bëhet me dije se ndërmjetësimi është një procedurë e cila ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë sallës së gjyqit. Avantazh është koha e shpejtë e zgjidhjes së konfliktit, kostot dhe procedurat burokratike më të vogla.
Në fushën e ndërmjetësimit bëjnë pjesë konfliktet familjare, kontraktuale, apo veprave të tjera penale, të cilat mund të gjejnë zgjidhje përmes ndërmjetësimit.