Kryeministri Edi Rama në një reagim të gjatë për çështjen e Fredi Belerit, nisur nga protesta që u mbajt dje në Himarë me pjesëmarrjen edhe të kryebashkiakut të Athinës dhe Selanikut, tha se për herë të parë ndodh që të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një vend demokratik.
“Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike.
Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja “Jam pa fjalë!” është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq. Por kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja “Digjet jorgani për një plesht!” prandaj edhe duhet folur e bërë çmos, që ky të mos jetë kurrësesi rasti”,-shkruan Rama.
