Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013. Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService, aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC, një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm. Hetimi për koncesionin e sterizlimit ka nisur në vitin 2020, dhe ishte padia e parë që u depozitua në SPAK, fill pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme.
Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, rreth një muaj më parë u thirr në SPAK dhe u pyet nga prokurori Edvin Kondilli në lidhje me dhënien e koncesionit të sterilizimit. Beqaj, u mbaj për më shumë se 8 orë në prokurorinë e Posaçme, ndërsa ishte thirrur si një person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, e jo si i pandehur. Për të njëjtin hetim është pyetur për 3 herë rresht, ish-zv.ministër i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe anëtarë të komisionit që kanë vlerësuar procedurat e tenderëve.
Sot është arrestuar me urdhër të SPAK-ut Klodian Rjepaj, ish-zv/ministër i Shëndetësisë. Rjepaj u arrestua për llogari të hetimit për koncensionin e sterilizimit. Arrestimi vjen në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” të dhënë në mungesë ndaj tij. Në pranga edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, administratori i shoqërisë që fitoi koncensionin. Për të njëjtën çështje penale, GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” në mungesë për Arben Gjatën, Naile Ajazin dhe Genc Byrazerin. E njëjta masë për Petref Mersinin, ndërsa për Saimir Kadiun dhe Marsela Serjanajn masa “arrest në shtëpi”. Masat e kërkuara nga SPAK janë për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë për 10 vjet qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit 100 milionë euro. Por tejkalimi i kostove dhe shkeljet janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që në vitet e para të zbatimit. Vetëm në 2018, Ministria e Shëndetësisë i ka paguar koncesionarit 17 milionë euro nga 10 milionë që duhet të ishte fatura. Në këto kushte Ministria urdhëron spitalet të reduktojnë operacionet. Një shkresë e tillë ka mbërritur pranë çdo spitali.
