Nga selia blu, Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat ku iu kthye çështjes McGonigal, duke theksuar se ai ka bashkëpunuar me Ramën për një puç ndaj opozitës. Ai tha se dy ditë më parë, Charles McGonigal pranoi fajësinë e tij se ka shkelur betimin, është korruptuar dhe ka tradhtuar FBI-në. Sipas Berishës, mediat lajmërojnë se avokati i McGonigal po punon me prokurorin e Uashingtonit për pranimin e fajësisë edhe për dosjen shqiptare.
“Veprimtarinë e tij korruptive kriminale, përveç Nju Jorkut, McGonigal e ka zhvillur në Shqipëri në bashkëpunim me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat, Dorian Duçka, Agron Nezën, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe persona të tjera. Veprimtaria kriminale antiligjore e McGonigal, Duçkës, Nezë dhe të tjerëve, në Shqipëri është pesëvjeçare dhe është e zhvilluar në këto drejtime.
-Drejtimi i parë në skemën e Deripaskës por me pasoja tragjike për një komb anëtar të NATO-s. Angazhimi i tij në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare, për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës.
-Vendosja e gjobave shumëmilioneshe ndaj bizneseve që ishin nën sanksione duke ui mashtruar se mund t’i hiqnin nga lista përkundrejt pagesave.
-Ndërhyrje korruptive për heqje licence nafte dhe dhënien te një kompani ruse, të kontrolluar mesa duket nga Deripaska”, shtoi Berisha.
