Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenka ka thënë të premten se i kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.
Prigozhini besohet të ketë vdekur nga rrëzimi i një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht, rreth dy muaj pasi e udhëhoqi një kryengritje të dështuar drejt Moskës me grupin e vet mercenar, Wagner.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte zotuar fillimisht se do ta shkatërronte kryengritjen e Prigozhinit në qershor, por disa orë më vonë u arrit një marrëveshje për lejimin e Prigozhinit dhe disa prej trupave të tij të shkonin në Bjellorusi.
Lukashenka, i cili e ndërmjetësoi marrëveshjen, e përdori një zhargon burgu pak pas kryengritjes jetëshkurtër të Wagnerit, kur tha se ai e kishte bindur Putinin të mos e “hiqte qafe” mercenarin i cili ndodhej në listën e udhëtarëve të avionit privat që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës.
Prigozhini, tha Lukashenka të premten, i kishte hedhur poshtë dy herë shqetësimet e ngritura nga ai për kërcënimet e mundshme me jetë me të cilat përballej ai.
Lukashenka tha më 25 gusht se e kishte paralajmëruar Prigozhin gjatë kryengritjes se do të “vdiste” nëse do ta vazhdonte marshimin drejt Moskës, ndaj të cilit Prigozhini ishte përgjigjur: “’Në djall – do të vdes’.”
Ai tha pastaj se, kur Prigozhini dhe Utkini, i cili ndihmoi në financimin e Wagnerit dhe ishte në listën e udhëtarëve të avionit që u rrëzua, kishin shkuar për ta takuar atë, ai i kishte paralajmëruar të dytë: “Bëni kujdes, djem!”
Nuk është saktësisht e qartë nga fjalët e Lukashenkas, të cilat u raportuan nga agjencia shtetërore e lajmeve BELTA, se kur kishte ndodhur biseda mes tyre.
Lukashenka, i cili njihej me Prigozhinin shumë kohë më parë dhe është aleat i ngushtë i Rusisë, tha se Putini nuk ka asgjë të bëjë me rrëzimin e avionit.
“E njoh Putinin: ai kalkulon çdo ditë shumë qetësisht, madje avash. Nuk mund ta paramendoj se Putini e ka bërë atë, se Putini është fajtori. Është thjesht punë shumë joprofesionale”, tha Lukashenka.
Kremlini e mohoi të premten çfarëdo përfshirje në rrëzimin e avionit afër Moskës nga i cili besohet se u vra Prigozhin.
Lukashenka njoftoi, po ashtu, se luftëtarët e Wagnerit do të mbesin në Bjellorusi./Rel