Në listën “Most Wanted” të Europol, janë edhe Aleks Burreli, 55 vjeç, nga fshati Suç i Matit dhe Edinjo Pulti, 37 vjeç, nga Shkodra. Në këtë listë janë në total 45 persona nga e gjithë Europa që kërkon për vepra të rënda penale, pjesa më e madhe e tyre për krime kundër personit, vrasje dhe masakra me shumë të vdekur.
Aleks Burreli i cili njihet edhe me emrin Gani, është në kërkim ndërkombëtar nga Qipro për vrasjen e një biznesmeni qipriot, dhe jo vetëm, më 23 qershor 2016. Në atë kohë 55-vjeçari Burreli hapi zjarr drejt një tavoline në një restorant ku po darkonte biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, duke e lënë të vdekur në vend bashkë me 2 persona të tjerë në tavolinë, dhe 2 të tjerë të plagosur. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë Jani Vogli, në atë kohë 41 vjeç, bashkëpunëtor i Burrelit.
55-vjeçari ishte i pari që u përfshi në listën “Most Wanted” të Europol, dhe prej asaj kohe nuk është lokalizuar nga agjencitë partnere. Një vit më vonë në listë u shtua një tjetër bashkëkombës i tij, Edinjo Pulti. 37-vjeçari shkodran kërkohet të arrestohet nga Luksemburgu për tentativë vrasje. Më 2 gusht 2020 ai u përfshi në një përleshje në Pétange. Disa burra, duke përfshirë një të armatosur me thikë, u përleshën në qendër të qytetit.