Sapo ishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, kishte marrë “Licenciee en Droit”. Erifili Bezhani ishte një vajzë nga Vlora që po i ngiste me shpejtësi shkallët e karrierës në Francë, falë rezultateve të shkëlqyera në universitetet franceze.
Pas dy vitesh në profesion, Erifili Bezhani do të kthehej në një prej avoktateve të spikatura në Francë. Gjatë ushtrimit të profesionit të avokates në Marsejë, në vitet 1941-1942, Erifili Bezhani u fejua me një avokat të njohur aristokrat francez.
Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe ajo si “Profesore e D’Etudes Francaises“ në të njëjtin universitet, Erifili Bezhani, la pas gjithçka dhe e shoqëroi të motrën për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës, deri në vdekje. /na ishte dikur/