“Lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove”,-shkruan kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, ku shprehet edhe se hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik, janë prova e një ndryshimi epokal në vendin tonë. Teksa përmend arrestimet e zyrtarëve të korruptuar edhe nga PS-ja, Rama thotë se Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare.
“Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithsesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh”.
Sipas Ramës, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore. Rama thekson se nuk po e bën këtë luftë për Brukselin Berlinin apo Uashingtonin, por për fëmijët e Shqipërisë.
“Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme”.
