Për vrasjen e Elson Kalaverit, dy shqiptarë dhe tre italianë janë arrestuar nga autoritetet italiane. Krimi ndodhi në gusht të vitit 2022 në Sasso Pisano në Pisa. Siç shkruajnë mediat italiane, vrasja është porositur nga një shqiptar në shenjë hakmarrje për vdekjen e vëllait.
“Ai vendosi të merrte një grup vrasësish për të zbatuar atë që quhet “Kanuni” në Shqipëri”, shkruan Today. Arrestimet janë kryer mëngjesin e kësaj të premteje në Castelnuovo Val di Cecina (një fshat në Pisa), Napoli, Casoria (një fshat në Napoli), Pescara dhe Shqipëri. Autoritetet italiane nuk japin emra, por thonë se ata janë përgjegjës, në role të ndryshme, për vrasjen me paramendim të Elson Kalaverit.
Elson Kalaveri, 36 vjeç nga Thumana, jetonte në provincën e Sienas. Ai po udhëtonte me një makinën e tij, por si pasagjer, kur u ndalua nga një mjet tjetër. Në këtë moment vrasësit qëlluan të paktën 15 herë mbi të. Shoferi i makinës ku udhëtonte Kalaveri, një tjetër shqiptar, nuk mori dëmtime. Ai shkoi menjëherë në fshat dhe kërkoi ndihmë. Bashkatdhetarë të tjerë të Kalaverit tentuan t’i japin ndihmën e parë, por ai humbi jetën.
Kalaveri është një emër i njohur edhe për policinë shqiptare. Mbi të gjitha ai ishte përfshirë në një ngjarje në vitin 2014, kur brenda komisariatit të policisë në Mamurras plagosi rëndë Gent Keçin.
