Prej ditësh në Bashkinë e Matit organizohen takime me banorët e njësive administrative dhe ato të lagjeve të qytetit në lidhje me hartimin e buxhetit dhe paketës fiskale të vitit ardhshëm. Në çdo bashkëbisedim kryebashkiaku Agron Malaj u është përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve në lidhje me problemet e konstatuara gjatë vitit të kaluar. Ai është shprehur se investimet e mëdha në ujësjellësa e rrugë do të krijojnë kushte më të mira jetese për banorët e Matit.
“Ne, tha Malaj, jemi drejt finalizimit të ujësjellësit të Zallë Gjoçajve, vepër që do të mundësojë furnizimin me ujë të banorëve të 17 fshatrave. Po ashtu në qytetin e Burrelit kanë përfunduar punimet në rrjetin e brendshëm të ujësjellësit të qytetit për të furnizuar konsumatorët me ujë të vazhdueshëm”.

Duke folur me banorët e zonave rurale Malaj është shprehur se po punon fort që shumica e fshatrave të lidhen me rrugë të asfaltuara. Gjatë takimeve me banorët e lagjeve të qytetit Burrelit kryebashkiaku ka deklaruar se aktualisht 95 % e rrugëve janë të asfaltuara dhe në pjesën e mbetur do të kryhen investime gjatë këtij viti, duke krijuar kushte normale për qytetarët.
“Bashkia, nënvizoi kryetari i bashkisë, ka nisur investimin për sistemin “kapot” të 114 pallateve. Ka nisur puna në lagjen “Pjetër Budi” dhe do të shtrihet në të gjithë qytetin. Për mirëmenaxhimin e punëve në qytet do të caktojmë administratorë në çdo pallat e bllok banimi, duke qenë sa më afër shqetësimeve të qytetarëve. Kemi projekte të qarta për pastrimin e qytetit, sistemimin e blloqeve të banimit, gjelbërimin, objektet social-kulturore, etj. Po ashtu, shtoi Malaj, do të vijojnë investimet në çdo lagje e bllok banimi në qytetin e Burrelit”.

Në këto takime kanë marrë pjesë deputetja e Qarkut Dibër, Aurora Mara, kryetari i Këshillit Bashkiak Altin Bojni, specialistë e drejtues të sektorëve të kësaj njësie vendore, etj.
