Këtë të dielë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale në Bashkinë e Kukësit, dhe kreu i Rithemelimit Sali Berisha ka udhëtuar në këtë qytet ku është takuar me biznesmenë të zonës. Ai u shpreh se Kukësi është rrethi më i varfër në Europë dhe për këtë është faji i politikave të ndjekura.
“Është kënaqësi të diskutoj me ju problemet themelore të një shoqërie, problemet e biznesit, në prani të kandidatit, kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Kukësit, zotit Emri Vata. Kukësi, banorët e Kukësit dhe të Qarkut të Kukësit, janë sot më të varfrit në Europë. Këtu nuk jemi në qarkun më të varfër të Europës se ky rreth, kjo trevë nuk ka potenciale dhe resurse ekonomike të mëdha. Kukësi ka resurse natyrore, ekonomike sa për shumë herë banorët. Resurset ekonomike të Kukësit janë një kontribut i madh në ekonominë shqiptare. Por Kukësi është qarku dhe rrethi më i varfër në Europë, për shkak kryekëput të politikave që janë ndjekur ndaj këtij rrethi, ndaj këtij qarku.
Pra, nëse sheh vetëm çfarë ka mbi tokë, këtu janë potencialet malore turistike më të mëdha të Shqipërisë, ndër më të mëdhatë në Ballkan. Duke filluar nga Nikaj-Mërturi, duke përfunduar në Pëshkopi, në Korab. Por nëse hedh sytë, zhvillimit të këtij sektori, ky sektor për të mos thënë është inekzistent, nuk është më shumë se 10 përqind të të gjithë kapacitetit të tij“.
Ai tha se kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm për mbarë shqiptarët. “Për të gjithë këto ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës. Vendi ka nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve. Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve. Me këtë rast dua të ftoj të gjithë biznesmenët e Kukësit këto ditë të japin të gjithë ndihmesën e tyre për fitoren e Emri Vatës. Ftoj të gjithë lumjanët, kuksianët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Shkodër, kudo, Durrës, jashtë vendit, të vijnë dhe të votojnë në Kukës për të firmosur ndryshimin”, tha Berisha.
