Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar pas sulmit terrorist në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës. Deputetja britanike e cila kohë më parë paralajmëroi për armatosjen në veri të Kosovës tha se duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan.
“Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj dialogut Serbi-Kosovë. Trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Vuçiçit gjithnjë e më autokratik po na çon më thellë në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit e normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy vendet errësohet gjithnjë e më shumë”, tha ajo.
Deputetja britanike thotë më tej Policia e Kosovës do të hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku. Ajo shtron pyetjen sesi financohen, armatosen dhe si kanë transportuar armë në/përreth Kosovës dhe nga kush i marrin udhëzimet e tyre. Kearns po ashtu i drejtohet BE-së dhe SHBA-së, nga të cilat kërkon të mos i mbyllin më sytë ndaj intransigjentes nga Serbia.
“Mbretëria e Bashkuar duhet të udhëheqë përpjekjet për një aleancë të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës, derisa Kosova të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO. Një marrëveshje e tillë do të adresonte shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe do të hapte rrugën për stabilitet afatgjatë në rajon. Dështimi nuk është një opsion. Parandalimi në Ballkan duhet të jetë një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën. Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan”, thotë ajo.