Kosova ka fakte që Serbia duke përdorur Listën Serbe ka udhëhequr sulmin terrorist, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka publikuar një video ku thotë se duket qartë që në krye të këtij grupi kriminal qëndron Milan Radojçiç, nënkryetar i Listës Serbe, i shpallur “Non Grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Për Zveçlën, gjithçka është e qartë, duke thënë se Serbia synon destabilitetin e Kosovës.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS-ja e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, tha Sveçla.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar se edhe ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tregues se ato janë organizatorë të sulmit. “Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, përfundoi Sveçla. Më herët media boshnjake “Istraga” ka raportuar Radojiçiç, është në mesin e sulmuesve të plagosur në Banjskë të Zveçanit dhe se po kurohet në Serbi.