Grupi kriminal që u përlesh me policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zvecanit, kishte armatime me vlerë prej mbi 5 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë, tha se sulmi terrorist, ku u përfshinë individë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, kishte cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial.
Teksa i bëri thirrje serbëve të çlirohen nga tutela e Beogradit, Kurti theksoi se sulmi i 24 shtatorit kishte ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të Kosovës me Serbinë.
“Sulmi terrorist i së dielës gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.
Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist, të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela serbe”,-tha Kurti.
