Vrasja në malin e Shoshit, ku u vra 73-vjeçari Zef Guri, ndërsa u plagos rëndë, djali i tij Gjin Guri ka si motiv shfrytëzimin e hapësirave pyjore. Kështu u shpreh Policia këtë të premte. Drejtori i Policisë Shkodër, Ervin Hodaj, në një konferencë për shtyp tha se
”Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Zef Guri, 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gj. G., të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gj. G., i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale.
Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë. Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit.
Kanë ndodhur 5 vrasje në krahasim me 9 vrasje të ndodhura gjatë 9-mujorit të vitit 2022, si dhe 3 raste të vrasjeve të mbetura në tentativë, në krahasim me 10 vrasje të mbetura në tentativë gjatë 9-mujorit të vitit 2022”,-tha Hodaj.
