Shtetet e Bashkuara ashpërsojnë tonet me Serbinë, duke i kërkuar të tërheqë forcat nga kufiri me Kosovën. Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare Xhon Kirbi shprehu shqetësimin e Uashingtonit tha se po monitorojnë me vëmendje çdo lëvizje pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serbë.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.
Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.
“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin e grumbullimit të trupave ushtarake serbe, nuk mund ta them tani”, u përgjigj Kirbi.
Zyrtari amerikan kërkoi pjesëmarrjen e Serbisë në hetimet për ngjarjen e 24 shtatorit, duke shtuar se sulmi kishte një nivel të lartë të sofistikimit. Kirby tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet. Sipas tij, incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.
Ndërkohë më herët ishte presidenti i Serbisë, Vuçiç, ai që ka njoftuar se këtë të premte ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken rreth situatës në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit. Në bisedë, siç tregon Vuçiç, Blinken i ka përmendur disa masa që mund të merren nëse “Serbia nuk sillet siç duhet”, për të cilat presidenti serb është shprehur kundër.
Ai e ka përshkruar bisedën me Blinkenin si jo të lehtë, “të gjatë” dhe se për disa gjëra nuk janë pajtuar.
“Nuk është një bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, disa jo. Nevojitet shtensionim, një rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës.Blinken më foli gjithashtu për disa masa. Unë thashë se jam kundër”, ka thënë presidenti i Serbisë.
NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës për shkak të rritjes së tensioneve.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë e ka mirëpritur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.