Prej 8 ditësh, vijon beteja për të shuar zjarrin në masivin pyjor të Pishëporos dhe Darëzezës në Fier. Përgjatë gjithë natës shërbimet zjarrfikëse kanë qëndruar në terren ndërsa rreth orës 01:00 një vatër zjarri është aktivizuar duke dalë jashtë kontrollit, ndërsa ka rrezikuar edhe një banesë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse flakët janë neutralizuar ndërsa operacioni do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme si nga toka ashtu edhe nga ajri. Vatrat e zjarrit janë me intensitet të ulët ndërsa avionët Canadair të dërguar nga shteti grek do të fillojnë ndërhyrjen nga ajri.
Në terren që në orët e para të mëngjesit po operojnë të gjitha forcat operacionale, shërbimet zjarrfikëse, efektivë të forcave të armatosura, punonjës të ADZM, dhe forca mbështetëse të bashkisë. Gjatë ditës së djeshme teksa ka zbritur në terren ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka pohuar se ndërhyrja nga ajri dhe toka do të vazhdojë deri në fikjen e plotë të zjarrit.
