Gjermania është kthyer në tokën e premtuar për mijëra mjekë shqiptarë, por mijëra doktorët dolën në rrugët e qyteteve gjermane, ditën e hënë, për t’u ankuar në lidhje me rrogat e ulëta dhe çmimet e larta, të ndikuara dhe nga inflacioni i lartë që ka goditur disa vende të Evropës.
Protesta e tyre u fokusua përpara ndërtesës së Ministrisë Federale të Shëndetësisë në Berlin, ku mjekët e pranishëm ngritën zërin e tyre për më shumë mbështetje financiare. Nën moton “Kriza e Klinikës”, në këtë grevë mbarëkombëtare morën pjesë rreth 20 shoqata mjekësh, organizata të sigurimeve shëndetësore dhe një mori farmacish.
Organizatorët thanë se kostot në rritje të energjisë, përpjekjet e dështuara të digjitalizimit dhe mungesa e profesionistëve i ka vënë klinikat në kufijtë e mbijetesës. Në këto kushte, shumë klinika e gjejnë veten të detyruara të pranojnë më shumë pacientë, gjë kjo jo vetëm që rrit në mënyrë dramatike ngarkesën e mjekëve, por gjithashtu ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për shkak të kohës më të kufizuar të konsultimit.