Rreth 70 gra e vajza, punëtore të fabrikës “Ozgun Kan Albania” kanë protestuar dje para Prokurorisë Fier, për dhënien fund zvarritjes së shqyrtimit të kallëzimit penal ndaj kësaj kompanie, e cila në mënyre abuzive nuk ka paguar pagat për një periudhë prej dy muaj e 10 ditësh.
Prokuroria e Fierit thotë se po vazhdon hetimet për kompaninë turke, e cila u kallëzua nga punëtorët se nuk po u jepte rrogat.
Me anë të një reagimi, Prokuroria sqaron se ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falimentimi i provokuar”.
“Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga një grup punonjësish të subjektit “O.A” SH.P.K., me administrator z. E.T, të cilët pretendojnë për shkelje ligjore të kryera nga kjo shoqëri lidhur me mosdhënien e pagave dhe mbylljen e aktivitetit”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
