Armando Broja vijon me probleme dhe nuk do ia dalë për ndeshjen e nesërme ndaj Çekisë. Trajneri Sylvinho dha lajmin në konferencën për shtyp pasditen e sotme, një ditë para duelit ndaj çekëve.
Sfida nesër në Tiranë do jetë si një finale, me 22 mijë zemra kuqezi që do rrahin në stadium dhe miliona të tjera në mbarë botën. Sylvinho e cilëson përballjen e së enjtes në Air Albania një nga më të rëndësishmet por jo vendimtare për kualifimin në Gjermani 2024.
“Ndeshja? Siç e tha edhe Gjimshiti, na pret një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo vendimtare. Çekia është një skuadër fizike, nuk ka humbur ende. Ata kanë pësuar vetëm dy gola. Na pret një punë e madhe, duhet të djersijmë shumë. Na presin 3 finale, nuk do të jenë të lehta, por jemi gati dhe të përgatitur. Është shumë e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, për tifozët tanë. Kjo është forca e kësaj skuadre. Dhe kështu do të ndodhë” tha Sylvinho
Broja:
“Kemi bërë dy seanca stërvitore. Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot. Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelsea. Më vjen keq, por lojtari nuk luan dot nesër. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme” u tha gazetarëve trajneri i kombëtares.
Trajneri i kombëtares pranon se ndeshja me Çekinë është e vështirë por nuk është aspak vendimtare për kualifikimin për të cilin vendoset në nëntor
“Kemi përpara tre finale. Nesër do të jetë para dhe ne jemi gati për tu përballur. Ndeshja me Çekinë është e vështirë por nuk është aspak vendimtare për kualifikimin. Për euro 2024 llogaritë do i bëjmë në nëntor” tha Sylvinho
Aspekti psikologjik?
“Ne i vizitojmë dhe takojmë gjithmonë futbollistët. Takuam Muçin në Varshavë, ikëm në Barcelonë, Londër. E përsëris: Jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë mirë deri këtu. Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin, por kjo nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm” tha Sylvinho
A është kjo ndeshja më e rëndësishme për të si trajner?
“Një ndeshje që e menaxhoj si të tjerat. Të gjithë ndeshjet janë të vështirë, por kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner. Por nuk është vendimtare. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit” tregon Sylvinho.
Taktika?
“Pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në tranzicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarte. Duhet të përgatitemi shumë mirë” thotë trajneri i kombëtares.
Presioni?
“Ndryshojnë dy gjëra krahasuar me ndeshjen e parë: luajmë në shtëpi dhe kanë mbetur edhe dy takime më pas. Kemi lojtarë me eksperiencë, si Gjimshiti, Hysaj, Strakosha dhe lojtarë të tjerë. Lojtarë që janë mësuar me këto lloj takimesh. Ndihem shumë mirë, njerëzit mbështetin dhe kanë besim edhe te lojtarë si Uzuni, Muçi, Asani”
Qazim Laçi, mund të jetë në formacion?
“Nuk e kemi vendosur ende formacionin, edhe pse është vendosur rreth 80%. Kemi ende për të parë gjendjen e lojtarëve. Nesër do të vendosim. Ndoshta e shohim Laçin në fushë, por nuk kemi vendosur ende”, përfundoi trajneri i Kombëtares”
I kënaqur me barazim?
“Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen” tha Sylvinho.
Kapiteni Berat Gjimshiti thotë se skuadra është gati për të dhënë maksimumin e se sipas tij kuqezinjtë do e arrijë kualifikimin.
“Do japim maksimumin nesër. Do japim maksimumin të kualifikohemi. Besoj se do ia dalim. ” thotë Gjimshiti.
Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.