Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Kurrë ndonjëherë tjetër në histori, nuk ka qenë më e madhe dhe më shpresëplotë shqiptaria e dy anëve të Drinit

09:29 / October 13, 20239 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
WhatsApp Image 2023 10 12 at 14.51.49
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Elisa Spiropali/

-Fjala për Rezolutën e Kosovës

Pak ditë më parë, një mendje e mbrapshtë, një psikikë e sëmurë dhe një shpirt i deformuar – llahtarisën dhe neveritën gjthë botën shqiptare. Dikush kishte kryqëzuar në një gardh me tela, një shqiponjë. Në agoninë e tij, shpendi që i përkiste qiellit, por i kishin thyer këmbët, shihte atë kulm të egërsisë njerëzore dhe priste të ikte sërish në qiell. 

Simboli krenar i kombit tonë ishte lënë të thahej në diell, në pritje që t’i shuhej jeta në trupin e lagur nga gjaku, me shpresë për ta treguar nesër si tërheqje turistike diku ku shitej mish e pihej raki nën tym duhani. Apo edhe për t’ja tregtuar dikujt me shpirt në kuletë dhe patriot në piskamë, që do ta blinte atë barbari për ta ekspozuar si ornament patriotizmi në vitrinë.

“Kështu do të desh armiku të ishim!”, do të thoshin rilindasit tanë dikur, nëse do të mundnin të shihnin në facebook apo instagram, në rrjetë sociale apo televizione, çfarë thagme kishte ndodhur.

“Kështu do të na desh armiku, të mbërthyer me tela, e ca më shumë, të vrarë e të tharë, të ndukur e çkulur nga duar shqiptarësh, shpesh të aftë që t’i bëjnë vetes e shqiptarit tjetër, atë që as armiku më i egër i tyre nuk është në gjendje ta bëjë!”, mbase do të thoshte secili nga ata etër të kombit, që flisnin për bashkim edhe kur rendnim të ndaheshim, që flisnin për dritë edhe kur nxitonim t’i kthenim këllqet territ.

E në fakt, shumë shpesh ne shqiptarët kemi qenë pikërisht kështu.

Të penguar nga rrethanat që kanë qenë gati gjithmonë kundër nesh, të ndëshkuar nga fataliteti i të qenit kombi i vogël dhe i vetëm në një kryqezim botësh, ku jo gjithmonë kemi ditur të zgjedhim miqtë për t’u mbrojtur nga armiqtë dhe ku po aq shpesh ju kemi dhënë shërbesë edhe vetë armiqve,

ne shqiptarët kemi paguar me gjak e sakrificë ardhjen e këtij momenti.

Këtij çasti të sotëm, kur në shumicë dërmuese, mund të themi të gjithë bashkë: por vjen një ditë…

Fiks dita që ka ardhur sot.

Kurrë ndonjëherë tjetër në histori, nuk ka qenë më e madhe, më e fortë, më e zëshme dhe më shpresëplotë shqiptaria e dy anëve të Drinit.

Si kurrë më parë, vërtetë me një mijë e një siklete e të përpjeta, me privime e me probleme të pazgjidhura, shqiptaria është me duar të zgjidhura dhe sy drejt të ardhmes. Ndoshta ende e paqartë se si erdhëm deri këtu, por duke ditur mirë se ku do të shkojë! 

Sot Shqipëria ulet e barabartë dhe me dinjitet aty ku përpara disa vitesh do të ishte e pamendueshme te afroheshim. Nga tryeza e Presidencës në Këshillin e Sigurimit, mikpritëse e samitit te procesit të Berlinit e samitit BE-Ballkan Perendimor, të dy për herë të parë jashtë BE, në Presidencën e OSBE, në negociata për integrimin, vizituar nga miliona turistë që Shqipërinë e kanē bërë kryefjalë tē rrjeteve sociale e tē gazetave prestigjoze evropiane, Shqipëria e ka forcuar rolin e saj në rajon si aktor pro-aktiv dhe konstruktiv, ne dobi te stabilitetit, bashkepunimit rajonal dhe te drejtave te shqiptareve ne rajon.

E duke thënë këtë, sytë janë tek problemet tona dhe tek diferencat mes nesh për mënyrën sesi i shohim ato probleme dhe mënyrën sesi mund t’i zgjidhim ato.

Jemi shumë pak për t’u ndarë si për luftë me njëri-tjetrin dhe jemi shumë vonë për të kuptuar dhe njëherë si përherë që ndeshja e ideve, mendimeve apo gjykimeve që nxit sistemi, nuk ka të bëjë kurrsesi me luftën që ka gojën për llogore dhe gjuhën për municion luftarak; të ndryshmin për shënjestër dhe shënjeshtrën për luftë totale për çdo gjë e gjithçka.

Java e fundit e shtatorit ishte një nga ato drama, shpesh të afta dhe të mjafta të ndryshojnë gjithë rajonin.

Një agresion kriminal i një komandoje terroriste serbe që frymëzohej nga nacionalfashizmi i hershëm i Milosheviçit, tentoi të nisë një konflikt që si shkëndija në pyll, mund të ndizte një zjarr gjigant.

Një Ushtar i Republikës, një punonjës i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dha jetën në një ndeshje që e nxiti dhe yshti urrejtja. 

Fatmirësisht, brenda pak orësh, policia e Republikës së Kosovës dha përgjigjen e duhur.

Tre agresorë humbën jetën, të tjerë u plagosën dhe kusuri u larguan matanë kufirit. Ky ishte incidenti më i rëndë, i cili, pa atë force e kurajo të trupave të policisë së Kosovës, pakkush mund t’i shihte epilogun, thellësinë e humnerës që do të rihapej dhe çmimin e gjakut që do të duhej të paguhej.

Duke dënuar me forcë agresionin, zinë që e pasoi në Beograd si për të na kujtuar se hijet e shekullit të 19 fatkeqësisht vërtitet lirshëm në rajonin tonē, duke u rreshtuar në të njëjtën frymë, mendim dhe qëndrim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, qeveria së pari, kuvendi i Shqipërisë,  dhe besoj edhe i gjithë spektri politik në vend, afrojnë atë çfarë presin qytetarët dhe publiku shqiptar, këtej dhe andej brigjeve të Drinit.

Por kjo është ende pak. Besoj se është ende shumë pak dhe vetëm një hap i duhur në një rrugë që duhet të shkelet më fort dhe më vendosmërisht nga të gjithë drejt synimit final: njohja përfundimtare, edhe nga Serbia, e realitetit më të ri e të pakthyeshëm gjeopolitik në Evropë, Republikës së Kosovës.

Ka pasur dhe ka dallime dhe ndryshime në mënyrën sesi e shohim këtë ecje. Qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana.

Për t’u ngritur mbi retorikën e ditës që sheh zakonisht nga data e zgjedhjeve dhe për të pasur zgjidhjet dhe zgjedhjet e duhura në të vetmen rrugë në të cilën do të duhet të ecë procesi: dialogu! Dhe dialog bëhet me të ndryshmin, monologu bëhet me veten.

I pari, dialogu, mund të jetë edhe i lodhshëm, shpesh edhe pa dobi të aty për atyshme, por asnjëherë nuk është si i dyti, monologue, që mund të jetë edhe monoton dhe i heshtur.

Në këtë sallë është konsumuar shumë retorikë. Herë shterpë e herë shurdhe, herë pa fjalë e herë pa ngjyrë e shije.

Edhe në një sesion të vetëm vjeshte, këtu është derdhur më shumë helm sesa ka ujë Drini në pranverë. Madje edhe më shumë urrejtje se helm i derdhur.

Si një ves i vjetër që e ndjek Ballkanin, këtu janë konsumuar deri në neveri lavdet për heronj dhe akuzat për tradhëtarë.

Unë nuk besoj se në botën e sotme ka heronj të gjallë.

Vetëm të vdekurit kanë mundësi të jenë të tillë sepse të gjallët kanë ende kohë të gabojnë.

Unë gjithashtu, nuk besoj edhe se këtu, në këtë sallë ka tradhëtarë.

Madje edhe vetë Saliu, që për shumëkënd është delenxhiu më i madh i shqipes së shkruar e të folur, për mua nuk është i tillë. Ai thjesht ka dashur më shumë pushtetin e tij se atdheun dhe se për të atdheu vlente vetëm kur ai ishte në pushtet. Zgjidhte partinë para atdheut dhe Nokën përpara Flamurit.

Përtej kësaj, nuk besoj se i ka shtuar një grusht me aspra xhepit duke shitur tradhëti.

Dilte e tepronte për të atdheu për ta pirë si çaj boronice në filxhanin e tij vetjak.

Kryeministri shqiptar, që ju nuk hezitoni t’i hidhni gurë, sa nga foltoret sa nga hamasët digjitalë, ndryshe nga ju që funksiononi me heronj e tradhëtarë, nuk pretendon heroizëm. Ai po ndjek urdhërin e kushtetutës në sjelljen ndaj gjysmës tjetër të kombit dhe kodin e politikës së moralit, që kemi trashëgim nga etërit themelues të kombit: për ne shqiptarët dielli lind nga perëndon! Dhe si ai, mendon më shumë, shumë më shumë se gjysma e shqiptarëve. 

Pesha dhe ndikimi i rritur e Shqipërisë është përdorur kudo dhe kurdoherë edhe në funksion të Kosovës; nga NATO, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në takime bilaterale për njohje e në takime rajonale për afrim, në Këshillin e Sigurimit, në OSBE, për lëvizjen e lirë me BE, për ne Kosova është prioritet kombëtar që ka udhëhequr çdo veprim në politikën tonë të jashtme, edhe pse Kosova për ne nuk është çështje e politikës së jashtme, por Interesi ynë kombëtar që ka udhëhequr çdo vendim që kemi marrë e do të marrim.

Por nuk ka asnjë simetri mes nesh. Ne nuk jemi njëlloj në shërbesë dhe në rendin e rëndësisë që i vendosim gjërave. Për ne atdheu është mbi gjithcka, edhe mbi gabimet dhe mëkatet tona, edhe mbi veset e deformimet që sjell pushteti ne vendosim gjithmonë e gjithëherë interesin më të lartë të atdheut. Ju për inat të Edi Ramēs, jeni të gatshëm të përdhosni emrin dhe kontributin e Shqipërisë.

Pa asnjë mëdyshje sikur të mundnim do t’ju amnistonim nga tradhëtitë e supozuara që keni bërë, qoftë kjo me kundërmimin kontrabandë të naftës, qoftë me shkërmoqjen e shoqërisë si piramidë rëre, qoftë për babëzinë që shpërtheu si bombë atomike në periferi të Tiranës e deri edhe për vullnetin tuaj për t’u vendosur mbas kondakëve të automatikëve që ekzekutuan qytetarë në mes të Tiranës.

Por edhe sikur ju ta pranoni këtë amnisti nga ne, edhe sikur këtë gjë ta bëjë me ju drejtësia, herët a vonë një tjetër gjykatë e merr fjalën dhe ajo është historia.

Historia më pas nuk do të harrojë që në rastin më të mirë, padituria, mungesa e vizionit dhe vullnetit, ju la spektatorë shpesh të pasjellshëm të një shfaqjeje që as nuk e kuptoni dhe as nuk e ndihmoni dot të shkojë në epilogun e saj.

Të mos dish nuk është mëkat! Mëkat është të mos pranosh të mësosh! Kështu siç vazhdoni të bëni ju duke mos kuptuar se interesi më i lartë i kombit shqiptar të ndarë në dy shtete, por dhe i Kosovës, është pafundësisht shumë herë më i rëndësishëm sesa sherrnaja juaj, madje edhe se pesha e një mandati katërvjeçar. 

E pres që edhe sot, kur duhet solemnitet dhe qetësi, mencuri dhe vetëpërmbajtje, yryshi i baltës, vrerit dhe pezmit do të dërdhet, dridhet e përdridhet në sallë duke folur për të sotmen e duke menduar në fakt ditën e zgjedhjeve.

Për hir të dinjitetit dhe shërbesës, do të lutesha të kishte urtësi. Të kishte reflektim. Të kishte sens pozitiv e shërbesë.

Të kishte shmangie të psikikave të sëmura e mendjeve pa din e imam, pa fe e atdhe, që për hir të pushtetit, do të pranonin të lidhnin shqiptarinë me fatin e tyre vetjak. Si ajo shqiponja që kishin kryqëzuar të lidhur me tela në gardh, në pritje që t’i shuhej jeta në trup. 

Zgjedhja është vetjake. Bejeni të tillë që nesër, në mos fëmijët, nipërit tuaj të mos turpërohen nga ju!

Se që do të qeshin me ju, kjo është e sigurt!

*Fjala e ministres Spiropali në Kuvendin e Shqipërisë – (12.10.2023)

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Muzeu hebraik, shtegu i ri i betejës anti-amerikane pas Zvërnecit

21:20 / September 14, 2026

Ku banojnë 4.28 milionë shtetasit shqiptarë që kanë lindur në Shqipëri?

20:40 / September 14, 2026

Ç’punë ka Garda e Republikës të ruajë një gjykatë?!

15:20 / September 14, 2026

“Republika e prokurorëve” nuk është vetëm një metaforë

14:39 / September 13, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.