Teksa në zyrën e Monika Kryemadhit po zhvillohej takimi kokë më kokë me kreun e PD-së, Lulzim Basha, në selinë e LSI-së në një deklaratë për mediat, Petrit Vasili foli për procesin integrues të Shqipërisë dhe Samitin e Berlinit.
Ai thotë se qeveria ka zëvendësuar mobilizimin e të gjithë energjive pozitive për integrimint me lobime të errëta dhe të dyshimta me personalitete të huaja.
“Pasi qeveria shqiptare, kthimi në prioritet madhor, mobilizimin e të gjithë energjive më pozitive, për pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë, opozitë, mazhoranca, shoqëri civile, njerëz të dijes, njerëz të shkencës, njerëz me ide. E ka zëvendësuar këtë gjë me disa lobime të errëta dhe të dyshimta me personalitete të huaja, me darka e dreka restorantesh, me negocime të paprincipta dhe me pritmëninë e jashtëzakonshme, se dikush nga diku do na bëjë një dhuratë sepse ne e njohim e kemi mik, e kemi shok dhe hamë e pimë. Integrimi është një prioritet madhor, është prioritet profesional në radhë të parë. Është prioritet politik. Nuk kërkonte zhbërje ministrish siç ishte Ministria e Integrimit, kërkonte specialistët më të mirë që të ishin deri në front. Çdo ministri shqiptare të kishte kryefjalën e saj vetëm integrimin europian . Në çdo prokurori shqiptare duhet të ishte prioritet zbardhja e dosjeve shumë të rënda, të cilat i nxijnë faqen Shqipërisë, qoftë dosjes 339, 184, çështjes Babale, korrupsionit të tmerrshëm i cili është aty dhe nuk hetohet”, tha z. Vasili.
E ndërsa ndërkombëtarët vijojnë të shprehen për arritje madhore në reformën në drejtësi, për Vasilin këto qëndrime janë të përcipta. “Nuk ka nevojë edhe për qëndrime të përcipta të ndërkombëtarëve në Tiranë apo gjetkë për këtë Reformë, por ka nevojë për një zbatim ashtu sikurse Kushtetuta dhe 21-22 korriku që e miratoi këtë platformë të Reformës në Drejtësi të zhvillohet pikë për pikë, pasi hapat tona do të jenë mbrapa dhe Shqipëria, do të mbetet në mes, e izoluar, pa perspektive, pa zhvillim ekonomik dhe pa shpresë për qytetarët e saj”, tha Vasili.
