Një debat televiziv politik është bërë viral në mediat italiane. Jo vetëm për faktin se politikania e Lega, Francesca Donato krahason Italinë me Shqipërinë, por se ajo flet për sukses të taksës së sheshtë në vendin tonë. Prej 2014, Shqipëria ka aplikuar taksën progresive.
Në debati mes Carlo Calenda të PD dhe Francesca Donato e Lega, të dy kandidatë për zgjedhjet evropiane, të ftuar në programin Dimartedi në La7, kanë folur për taksën e sheshtë, propozim të Matteo Salvinit. Calenda shprehu dyshimet e tij të forta për aplikimin e saj, por ka ndërhyrë Donato në mbrojtje të kësaj takse që sipas saj është aplikuar me sukses në vende të ndryshme jashtë.
“Cilat vende?”, i thotë Calenda. “Në Shqipëri”, përgjigjet Donato. “Në Shqipëri? Nëse këto janë referencat tuaja jeni në gjendje të keqe”, i është përgjigjur kundërshtari.
Në një kohë video është bërë virale në Twitter, me hashtagët #donato dhe #flatTax. Por kandidatja për në Parlamentin Europian mesa duket nuk e di që taksa e sheshtë në Shqipëri nuk aplikohet që prej 2014-tës.
