Bota e teknologjisë tashmë ka thyer kufinjtë dhe e ka shndërruar botën në një fshat global. Bashkë me të edhe sukseset dhe puna kreative e shqiptarëve anë e mbanë botës po njihet dhe po vlerësohet tej mase.
Inxhinierja shqiptare e suksesshme Mira Murati, e cila është shefe e teknologjisë në kompaninë OpenAI ka qenë e pranishme në eventin e 10 vjetorit të platformës Code.org. Inxhinierja Murati ishte ulur në panel pranë themeluesit të Microsoft, Bill Gates.
“Mësoni sa më shumë që të jetë e mundur, bëjini gjërat … të përshtaten me mjetet e reja. Kodimi është më i arritshëm se kurrë më parë”, tha Murati gjatë këtij eventi.
Vajza e suksesshme në teknologji, drejtuese e kompanisë që ka krijuar një chatbot me inteligjencë artificiale është rritur në Shqipëri.
OpenAI është kompania që vitin e kaluar bëri bujë me lansimin e chatbotit me Inteligjencë Artificiale ChatGPT si dhe projekte të tjera me këtë teknologji. Me lansimin e ChatGPT, shumë kompani të tjera teknologjike shtynë synimet për të lansuar gjithashtu mjete të ngjashme me AI sikurse Google, Meta dhe kompani të tjera.