Një tjetër hapësirë në kryeqytet do të jetë në dispozicion të fëmijëve për zhvillimin dhe edukimin me rregullat bazë të sjelljes qytetare të sigurisë rrugore. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, bën me dije se në hapësirën ngjitur me “Air Albania Stadium”, do të hapet së shpejti shkolla e biçikletave për fëmijët e çdo grupmoshe.
Këndit Edukativ i Sigurisë Rrugore për fëmijët do të shërbejë për edukimin rrugor, njohjen me sinjalistikën rrugore, ndërgjegjësimi mbi rreziqet në rrugë, praktika e sjelljeve të përgjegjshme dhe zgjedhjet e sigurta në situata të improvizuara rrugore për veten e të tjerët.
Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë rrugore, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor-Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vazhdon projektet e iniciativat konkrete për edukimin e fëmijëve me qëllim kryesor nxitjen e të mësuarit mbi rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor përmes lojës.
Procesi i të mësuarit i mbështetur në modele konkrete të sjelljes në trafik dhe i shoqëruar me shembuj të shumtë në praktikë, rrit efektshmërinë e edukimit rrugor të fëmijëve, për të kuptuar sa më qartë situatat në rrugë.
