Analisti Plarent Ndreca vlerëson SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme për goditjen e korrupsionit në nivele të larta të politikës.
Duke diskutuar në emisionin Opinion për hetimin ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, Ndreca u shpreh se deri në këtë fazë hetimi duhet përshëndetur.
“Unë do kërkoja në fakt më koherencë, qoftë edhe nga Marku personalisht se e kam pasur përballë në disa diskutime, dhe jam shumë dakord. E kam thënë në një seancë gjyqësore, që patjetër SPAK dhe gjykata e kanë ngritur në një nivel për t’u përshëndetur dhe duhen falenderuar realisht imazhin e drejtësisë në pjesën apo në fazën e parë që ka të bëjë me pandëshkueshmërinë. Edhe ky rast, pra rasti i ish-Kryeministrit është një rast për t’u përshëndetur në këtë aspekt, në këtë fazë, pra faktin që ata nuk kanë frikë të merren me askënd. Është një ndryshim i jashtëzakonshëm, nuk ka ndodhur kurrë kjo gjë”.
Por sipas Plarent Ndrecës, edhe pse Berisha është kundërshtar i tij në politikë, duhet të trajtohet me respekt nga gjykata në hetimin që po zhvillohet ndaj tij.
“Por, tani fillon një fazë tjetër që është shumë e rëndësishme, standardet e larta në drejtësi. Unë e kam kundërshtar politik, nuk diskutohet, Sali Berishën, por absolutisht që ai duhet të trajtohet me dinjitet, duhet të trajtohet me respekt si çdo qytetar i këtij vendi. Kjo do të thotë që ai nuk ka as privilegjin që të përdori si asnjë qytetar i këtij vendi, logon e një partie apo nënkryetarin e partisë së tij. Ashtu siç ka të drejtën të trajtohet me dinjitet, politika ka një kufi që është Kushtetuta, është dhe ky rast, ashtu ka dhe të drejtën që mos të trajtohet si i privilegjuar sikur ka një standard tjetër nga qyterarët e tjerë, që as nuk respekton vendimin e gjykatës, as nuk merr njoftim për vendimin e gjykatës. Trajton logon dhe del në konferencë për shtyp me një logo partie”.