Gazetari Albi Xhunga tha në një intervistë për Euronews Albania se beteja ligjore e Sali Berishës mund të jetë dhe beteja e tij e fundit që do të shënjojë largimin nga politika.
Ai paralelizoi betejën Waterloo të Napoleon Bonapartit me këtë rast duke thënë se pavarësisht impaktit të Berishës, koha e tij ka mbaruar.
“Mua kjo që po i ndodh zotit Berisha më duket se është Waterloo e zotit Berisha. Për ata që na ndjekin dhe nuk e dinë, Waterloo është beteja e fundit e Napoleon Bonapartit, aty ku u rrëzua përfundimisht ish-perandori i Francës. Natyrisht që do guxim të madh të krahasosh Sali Berishën me Napoleon Bonapartin, por unë do të bëj një paralele për të kuptuar situatën.
Waterloo ndodhet në Belgjikë. Gjeniu i luftës Napoleon Bonaparti erdhi dhe u mund në Belgjikë dhe së fundmi, ekspertë ushtarakë dhe ekspertë strategjikë kanë analizuar betejën, strategjinë e perandorit, urdhrat e tij dhe jo vetëm që s’kanë gjetur ndonjë gabim, por i konsiderojnë brilante, megjithatë Bonaparti e humbi betejën dhe e humbi sepse i kishte mbaruar koha. Sali Berisha nuk e kupton se sot është jashtë kohës së tij,” – u shpreh Xhunga.