Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, thotë se bombardimet ajrore në Gaza janë veç fillimi. Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për të zbutur dorën ndaj Rripit të Gazës, ai njofton se sulmi tokësorë në territor do të ndodhë shpejt. Në një fjalim televiziv Netanjahu nuk saktësoi se kur do të hynin në enklavën e kontrolluar nga Hamasi forcat tokësore duke thënë se vendimi do të merrej nga kabineti i posaçëm i luftës.
“Ne po lëshojmë zjarr nga ferri mbi Hamasin. Kemi vrarë tashmë mijëra terroristë dhe ky është vetëm fillimi. Njëkohësisht po përgatitemi për pushtim tokësor. Për momentin, nuk do të them kur apo si”, tha Benjamin Netanjahu.
Sakaq, forcat e mbrojtjes izraelite bënë me dije se kishin mësyrë me tanke, veriun e Gazës gjatë natës duke goditur një sërë celulash terroriste e infrastrukture. Operacioni, siç thanë, është pjesë e përgatitjeve për fazat e reja të luftës. Në gaza, spitalet po ndërpresin të gjitha shërbimet, përveç atyre të emergjencës, pasi rezervat e karburantit po shterojnë.
